Çfarë duhet të përfshini në CV-në tuaj?
- staffiX Team
- May 27
- 3 min read

Një CV e shkruar mirë i prezanton në mënyrë koncize pikat tuaja kryesore me të cilat e ndikoni vendimin e menaxherit të burimeve njerëzore ose punëdhënësit. Që CV-ja juaj të tërheqë vëmendjen, ajo duhet të nxjerrë në pah shkathtësitë dhe përvojën tuaj të punës që lidhen me pozitën për të cilën po aplikoni.
Rrjedhimisht, është e domosdoshme të dini se si të shkruani një CV tërheqëse për ta shfaqur veten si personin e duhur. Përderisa më parë kemi diskutuar për gjërat që nuk duhet t’i përfshini në CV, në këtë artikull ne do të identifikojmë elementet kryesore të një CV-je dhe procesin e shkrimit të saj në mënyrë që ta dalloni veten nga kandidatët e tjerë.
Çfarë është CV-ja?
Curriculum vitae (CV) është një dokument që ofron një përshkrim gjithëpërfshirës të arritjeve tuaja akademike, përvojës dhe shkathtësive profesionale. Ajo gjithashtu mund të nxjerr në pah çmimet, mirënjohjet, interesat kërkimore, botimet, bursat dhe angazhimet tuaja.
1. Informacioni i kontaktit
Informacionet e kontaktit janë elementi i parë i CV-së dhe shërbejnë si titull i dokumentit. Ato vendosen në krye në mënyrë që intervistuesit t'ju kontaktojnë lehtësisht. Kjo pjesë duhet të përmbajë vetëm elemente si emri juaj i plotë, numri i telefonit, email, uebfaqet ose rrjetet sociale profesionale. Mos përfshini informata si data e lindjes, adresa fizike ose informata rreth vendin aktual të punës.
Jepni vetëm informacionin e kërkuar në përshkrimin e punës. Konsideroni të përdorni një email adresë profesionale.
2. Përmbledhja personale
Një përmbledhje personale është një deklaratë koncize në fillim të CV-së suaj që përshkruan shkathtësitë tuaja kryesore dhe kapacitetet që do të sillni në rol. Ky profili personal nuk është i detyrueshëm çdo herë. Kjo pjesë duhet të tregoj kush jeni, cilat janë shkathtësitë dhe arritjet tuaja më të mëdha, dhe po ashtu të përmend synimet tuaja si punonjës potencial.
Mos përshini arsyet pse po aplikoni, pse dëshironi të largoheni nga puna aktuale ose kërkesat tuaja në lidhje me benefitet.
3. Përvoja e punës
Seksioni i përvojës së punës i lejon intervistuesit të shohin rrugën tuaj të karrierës dhe rëndësinë e saj për pozitën që e kanë të hapur. Përshkruani ekspertizën tuaj në rend të kundërt kronologjik (nga eksperienca më e fundit deri tek ato të parat).
Nëse nuk keni përvojë të mjaftueshme ose njohuri rreth punës, arsimi duhet të vijë përpara këtij seksioni. Pjesa e përvojës suaj të punës mund të përfshijë deri në 15 vjet përvojë dhe të përfshijë informacione si: titulli i pozitës, emri i kompanisë, datat e punësimit dhe disa nga përgjegjësitë kryesore.
Në këtë pjesë nuk preferohet të përfshini: adresën e kompanisë, referanca ose emrat e mbikëqyrësve, punësimet afatshkurtra ose ndonjë përvojë pune që nuk është relevante me pozitën që po aplikoni.
4. Arsimi
Pjesa e arsimit po ashtu është një pjesë kritike e çdo CV-je. Ky seksion është vendi ku kërkuesit e punës mund të nxjerrin në pah arritjet e tyre akademike.
Përveç mësimit standard në universitet, kërkuesit mund të rendisin çdo trajnim, seminar ose certifikim tjetër relevant që kanë përfunduar.
5. Shkathtësitë
Shkathtësitë që duhen përfshirë në këtë seksion varen nga industria, pozita dhe prapavija juaj personale. Bëni kërkime mbi shkathtësitë përkatëse për industrinë ose pozitën dhe lexoni me kujdes përshkrimin e punës.
Listoni vetëm katër deri në tetë shkathtësi përkatëse për rolin, duke përfshirë ato specifike të punës, shkathtësitë e buta dhe shkathtësitë teknike. Disa shembuj përfshijnë: gjuhët e huaja, shkathtësitë teknike, shkathtësitë e certifikuara etj.
6. Seksione shtesë
Seksionet shtesë janë të synuara për ndonjë pozitë specifike dhe mund të përfshijnë certifikimet profesionale, botimet, çmime të industrisë dhe trajnime shtesë dhe çdo gjë që është relevante për personin që po lexon CV-në tuaj.
Nëse jeni student, mund të listoni përvojën tuaj vullnetare dhe arritjet akademike. Disa punëdhënës mund të mos kenë nevojë për referenca, kështu që përfshirja e tyre mund të mos jetë e nevojshme.