top of page

8 Pyetje që Mund t’i Bëni Ju në Fund të një Interviste Pune

  • Writer: staffiX Team
    staffiX Team
  • Jun 26
  • 3 min read

Në fund të një interviste pune, zakonisht punëdhënësi pyet: “A keni ndonjë pyetje për ne?”. Shumë kandidatë nuk i kushtojnë rëndësi këtij momenti. Por në fakt, kjo është më shumë sesa një mënyrë e sjellshme për të përmbyllur bisedën. Është një mundësi të tregoni interesin tuaj të vërtetë, të mësoni më shumë rreth kompanisë dhe të tregoni se jeni duke e marrë seriozisht këtë pozitë.

Kur bëni pyetjet e duhura, ju mund të kuptoni më mirë nëse pozita është e përshtatshme me atë çfarë ju kërkoni dhe në të njëjtën kohë te lini një përshtypje të mirë një kandidat i angazhuar dhe mendje hapur.

Pse është e rëndësishme të bëni pyetje?


Të thuash “Jo, nuk kam ndonjë pyetje” mund të duket e sjellshme, por mund të lërë përshtypjen se nuk jeni shumë të interesuar ose nuk jeni përgatitur sa duhet.


Nga ana tjetër, të bësh pyetjet e duhura tregon se:


• Jeni sinqerisht të interesuar për rolin

• Keni reflektuar për mënyrën si mund të përshtateni në kompani

• Dëshironi të kuptoni pritshmëritë dhe kulturën e punës


Gjithashtu, ju ndihmon të vendosni nëse kjo punë është në përputhje me qëllimet dhe vlerat tuaja. Disa nga këto pyetje që mund t’ia parashtroni intervistuesit ose punëdhënësit mund t’i gjeni më poshtë:


1. Cilat janë objektivat kryesore për këtë pozitë në 6–12 muajt e parë?


Kjo pyetje tregon se po mendoni përpara dhe dëshironi të përshtateni me pritshmëritë e kompanisë që në fillim.  Ju ndihmon po ashtu të kuptoni se si duket suksesi në këtë rol, qoftë përmes arritjes së objektivave të caktuara, nisjes së ndonjë projekti apo përmirësimit të proceseve ekzistuese.


2. Mund të më tregoni më shumë rreth ekipit me të cilin do të punoj?


Asnjë rol nuk ekziston në izolim, gjithmonë punohet në bashkëpunim me dikë tjetër.  Kur pyesni për ekipin, tregoni se vlerësoni bashkëpunimin dhe punën në grup.


Kjo pyetje ju ndihmon të kuptoni madhësinë dhe strukturën e ekipit, si funksionon ai dhe çfarë profile personash do të keni përreth. Një ekip i fortë dhe i bashkuar mund të ndikojë shumë në kënaqësinë tuaj në punë.


3. Cila është kultura e punës në kompani?


Çdo kompani ka personalitetin e saj. Me këtë pyetje, ju kërkoni të kuptoni ndjesinë reale të të punuarit aty. Pra, a është një ambient më formal apo më i relaksuar? A inkurajohen punonjësit të japin mendime? Si trajtohet balanca punë-jetë?

Ju po kërkoni një përputhje kulturore që ndihmon suksesin dhe mirëqenien tuaj në punë.

4. Çfarë mundësish për zhvillim profesional ofron kompania?


Kandidatët ambiciozë duan të rriten dhe zhvillohen e kjo është diçka pozitive. Kjo pyetje tregon se nuk jeni të fokusuar vetëm në të tashmen, por mendoni edhe për zhvillimin tuaj në të ardhmen brenda kompanisë.


Kërkoni të dini nëse ka trajnime, mentorim apo mundësi për të marrë më shumë përgjegjësi.


5. Mund të më tregoni më në detaje për detyrat ditore të kësaj pozite?


Përshkrimi i punës shpesh nuk tregon gjithçka. Kjo pyetje ju ndihmon të kuptoni konkretisht se çfarë do të bëni çdo ditë. A do të keni më shumë punë operacionale apo strategjike? Sa kohë do të shpenzoni për detyra të caktuara? Këto detaje mund të ndikojnë në vendimin tuaj.


6. Kujt do t’i raportoj në këtë rol?


Menaxheri ka një ndikim të madh në përvojën tuaj në punë. Duke ditur se kujt do t’i raportoni dhe ndoshta edhe stilin e tyre të menaxhimit, ju ndihmon të vlerësoni nëse mënyra e tyre e udhëheqjes përshtatet me mënyrën tuaj të punës.


Pyetja në fjalë tregon gjithashtu se e vlerësoni strukturën dhe komunikimin e qartë.

7. Si duket kandidati ideal për këtë pozitë? Kjo pyetje ju jep një pamje më të qartë për atë që vlerësohet më shumë nga punëdhënësi. A kërkojnë dikë që është i mirë në zgjidhjen e problemeve? Apo dikë që mund të fillojë punën menjëherë pa shumë trajnim? Këto informacione mund t’ju ndihmojnë edhe në ndjekjet që bëni pas intervistës.

8. Cili është afati i vendimmarrjes dhe cilat janë hapat e radhës?


Gjithmonë përfundoni me një pyetje praktike. Kjo tregon se jeni të interesuar, proaktiv dhe e respektoni procesin e tyre të përzgjedhjes. Ju ndihmon të kuptoni kur mund të prisni një përgjigje dhe nëse ka ndonjë fazë tjetër që duhet të përgatiteni (si testime ose intervista shtesë).

Pyetjet që bëni në fund të një interviste janë po aq të rëndësishme sa përgjigjet që jepni gjatë saj. Ato ju japin mundësinë të zbuloni më shumë rreth vlerave të kompanisë, pritshmërive dhe kulturës së punës dhe në të njëjtën kohë ju paraqesin si një kandidat të përgatitur dhe të interesuar.

Pra, herën tjetër që ju pyesin, “A keni ndonjë pyetje për ne?” mos ngurroni. Shfrytëzojeni këtë si një mundësi të fundit për të dalë në pah dhe për të marrë kontrollin e rrugëtimit tuaj profesional.

© 2023 BY STAFFIX. Powered and secured by Wix

info@staffix.net   |   St. Mark Sopi Office No.36, floor 2, 10000, Prishtina, Kosovë

  • Facebook Basic Black
  • Black Instagram Icon
  • LinkedIn
  • X
  • TikTok
bottom of page