A po i bën këto 7 gabime në intervistë?
Intervista e punës është mundësia për të treguar më shumë sesa ajo që shkruan në CV.
Përvoja dhe aftësitë kanë rëndësi, por edhe përgatitja, komunikimi dhe mënyra si prezantohesh ndikojnë në përshtypjen që krijon.
Këto janë 7 gabime të zakonshme dhe disa mënyra praktike për t’i shmangur në intervistën e ardhshme.
1. Shkon pa u informuar për kompaninë
Para intervistës, lexo për kompaninë, aktivitetin e saj dhe pozitën ku ke aplikuar. Kjo të ndihmon të kuptosh më mirë rolin dhe të shpjegosh pse dëshiron të punosh aty.
Për shembull, në vend që të thuash: “Më pëlqeu pozita dhe vendosa të aplikoj”, lidhe përgjigjen me diçka konkrete nga kompania ose roli: “Më interesoi kjo pozitë sepse përvoja ime në shitje përputhet me përgjegjësitë e rolit dhe dua ta zhvilloj më tej këtë drejtim.”
2. Jep përgjigje të përgjithshme
Shprehje si “jam i motivuar”, “jam i përgjegjshëm” ose “punoj mirë në ekip” përdoren shpesh, por nuk tregojnë si i ke dëshmuar këto aftësi.
Nëse thua se punon mirë në ekip, jep një shembull: “Në punën e fundit bashkëpunova me ekipin e shitjes dhe marketingut për një fushatë të re. Ndamë përgjegjësitë dhe e përfunduam projektin brenda afatit.”
Shembujt konkretë e bëjnë përgjigjen më të besueshme.
3. Flet negativisht për punën e kaluar
Edhe nëse ke pasur një përvojë jo të mirë, ruaj profesionalizmin. Kritikat ndaj ish-menaxherit, kolegëve ose kompanisë rrallë të ndihmojnë gjatë një interviste.
Në vend të: “Menaxheri nuk më vlerësonte dhe ambienti ishte i keq”, provo: “Pas një periudhe në atë rol, kuptova se po kërkoja më shumë mundësi për zhvillim dhe përgjegjësi të reja.”
Mesazhi mbetet i sinqertë, por fokusi kalon te e ardhmja.
4. Nuk e tregon vlerën tënde
Intervistuesi e ka parë CV-në. Gjatë intervistës duhet të shpjegosh çfarë ke arritur dhe si lidhet përvoja jote me pozitën.
Në vend të: “Kam punuar dy vite në shitje”, thuaj: “Kam dy vite përvojë në shitje, ku kam menaxhuar komunikimin me klientët, ofertat dhe ndjekjen e procesit deri në mbylljen e shitjes.”
Nëse ke rezultate të matshme, përfshiji. Numrat, projektet dhe përgjegjësitë konkrete e bëjnë përvojën më të qartë.
5. Nuk bën pyetje
Intervista është edhe mundësia jote për të kuptuar nëse pozita të përshtatet.
Kur intervistuesi pyet “A keni ndonjë pyetje për ne?”, përgatit dy ose tri pyetje paraprakisht.
Për shembull:
• Cilat do të jenë prioritetet kryesore gjatë tre muajve të parë?• Si duket një ditë tipike në këtë pozitë?• Si matet suksesi në këtë rol?• Me cilin ekip do të bashkëpunoj më së shumti?
Këto pyetje të japin informacion të dobishëm dhe tregojnë interes për pozitën.
6. Fokusohesh vetëm te paga
Është normale të diskutosh pagën. Por nëse pyetjet e tua lidhen vetëm me pagën, bonuset dhe pushimet, punëdhënësi mund të mos e kuptojë motivimin tënd për vetë pozitën.
Kur diskutohet kompensimi, komuniko pritshmëritë qartë.
Për shembull: “Bazuar në përgjegjësitë e pozitës dhe përvojën time, pritshmëria ime është në këtë interval. Jam i interesuar të kuptoj edhe paketën e plotë dhe mundësitë për zhvillim.”
Kështu diskutimi mbetet profesional dhe i balancuar.
7. Nuk përgatitesh për pyetjet kryesore
Nuk është e nevojshme t’i mësosh përgjigjet përmendësh. Përgatit pikat kryesore që dëshiron të komunikosh.
Për pyetjen “Na trego pak për veten”, mos fillo me gjithë historinë personale. Jep një përmbledhje të shkurtër të profilit tënd profesional.
Për shembull: “Kam tre vite përvojë në administratë dhe kujdes ndaj klientit. Në rolin tim aktual merrem me komunikimin me klientët, dokumentacionin dhe koordinimin e kërkesave ditore. Tani po kërkoj një pozitë ku mund të marr më shumë përgjegjësi dhe të zhvillohem profesionalisht.”
Një përgjigje e strukturuar e ndihmon intervistuesin të kuptojë shpejt profilin dhe përvojën tënde.
Një intervistë e mirë fillon me përgatitjen
Nuk ke nevojë të japësh përgjigjen “perfekte”. Duhet të komunikosh qartë kush je profesionalisht, çfarë ke arritur dhe pse kjo mundësi ka kuptim për hapin tënd të ardhshëm.
Para intervistës, lexo përsëri shpalljen, informohu për kompaninë, përgatit disa shembuj nga përvoja dhe shkruaj dy ose tri pyetje që dëshiron t’ia bësh intervistuesit.
%20Digital-04.png)